Mbi 1 mijë turistë në ditë në Sazan, Leli: Në gatishmëri për mbajtjen pastër të ishullit

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Çdo ditë Vlora vizitohet nga qindra turistë, vendas dhe të huaj dhe vetëm ditën e sotme në ishullin e Sazanit kanë zbritur mbi një mijë.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli thotë se numri i lartë i turistëve kërkon ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve për të mbajtur pastër ambientin.

“Vetëm sot në Ishullin e Sazanit kanë zbritur mbi një mijë njerëz. Të paktën ky ka qenë informacioni i fundit që na ka ardhur nga përfaqësuesit dhe operatorët turistikë që operojnë me lëvizjet e turistëve, të cilët kanë shkuar mbrëmë në darkë shumë të shqetësuar për situatën e ndotjes dhe të plehrave që kanë dëmtuar mjedisin në ishull. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i punonjësve të bashkisë në bashkëpunim me “Smile Albania”, me atë që duam në fund fare t’i ofrojmë të gjithë turistëve, një buzëqeshje më tepër në një vend ku ka pafund resurse turistike për t’i treguar vizitorëve”, – tha Leli.

Sipas tij, aksioni i pastrimit përkthehet në një standard të ri në shërbimin që u ofrohet turistëve.

“Por, mesa duket situata e krijuar nga vizitorët e shumtë dhe ndonjëherë të papërgjegjshëm dhe me sjellje jo korrekte për sa i përket mbrojtjes së natyrës, ka krijuar një situatë problematike të plehrave dhe ne do të jemi bërë gati të gjithë për të shkuar dhe për t’i dhënë Sazanit sipas kërkesës së operatorëve një aksion pastrimi. Kjo do të jetë fillesa e punës për të pasur një standard tjetër në shërbimin dhe në shërbesat që operatorët turistikë në bashkëpunim me institucionet e tjera të ofrojnë për të gjithë operatorët turistikë dhe të gjithë turistët që vizitojnë Sazanin”, – theksoi ai.

Leli ka ndarë edhe një mesazh për të gjithë qytetarët.

“Mesazhi është shumë i madh. Pasuria që kemi nuk është vetëm e jona, por i takon brezave dhe na takon të gjithëve të jemi qytetarë të përgjegjshëm dhe mbi të gjitha të kujdesemi mbi vlerat e mëdha të natyrës për të cilat nuk u lodhëm aspak, por që duhet t’i ruajmë për t’i shërbyer brezave të tjerë”, – përfundoi ai.

Vlora këtë vit ka pritur fluks turistik ndërkohë që rezervimet e shumta që bënë të huajt një vit më parë, e renditën Vlorën si një nga qytetet më të vizitueshme në vend.

z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.