Të martën afati i fundit për pagesën e dividentit, ja si mund të përfitohet

TIRANË, 18 gusht /ATSH/- Ditën e martë, në datën 20 gusht është afati i fundit për pagesën e dividentit.

Të gjitha bizneset duhet të shpërndajnë fitimin e vitit 2018 brenda datës së caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe do të paguajnë vetëm 8% tatim mbi vlerën e dividentit. Por nëse bizneset shkelin datën 20 gusht, atëherë taksa do rritet dhe bizneset do paguajnë 15 % më shumë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë thirrje të gjitha kompanive që të përfitojnë nga këto masa lehtësuese, të cilat janë miratuar në ligjin e paketës së re fiskale, për të shpërndarë brenda afatit të caktuar fitimin e realizuar një vit më parë.

Ndërsa për fitimet e pashpërndara, të cilat janë realizuar në vitin 2017 e më parë, afati për të përfituar taksimin e lehtësuar 8 % është data 30 shtator e këtij viti. Pra nëse një kompani shpërndan tek aksionarët fitimet e pashpërndarë që ka bërë nga viti 2017 e më parë deri në datën 30 shtator do të paguajë vetëm 8 % si tatim dividenti.

Pas datës 30 shtator tatimi bëhet automatikisht 15% për qind. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.