Kredia në lek u rrit me 2,4% në qershor të këtij viti

TIRANË, 18 gusht /ATSH/- Kreditimi i individëve po orientohet gjithnjë e më shumë drejt lekut.

Normat e ulëta të interesit të kredisë për individë, si dhe politikat e ndjekura nga bankat  për kreditimin e individëve në monedhën në të cilën kanë të ardhurat, janë faktorët kryesorë që po e mbështesin zhvendosjen e kredisë nga monedha euro drejt Lekut.

Gjithmonë e më shumë qytetarët po zgjedhin kreditimin në monedhën vendase, lekun, e cila ka arritur në 64% të totalit.

Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, ecuria në terma të monedhës konfirmon orientimin e kredisë për individë drejt monedhës vendase. Ky portofol përbën rreth 64% të tepricës së kredisë për individë në fund të muajit qershor, duke shënuar një rritje të kësaj peshe me rreth 2,4 % nga një vit më parë

Rritja e kredisë në lekë, të paktën te individët, është një nga rezultatet më të prekshme të politikës monetare lehtësuese të Bankës së Shqipërisë. Arsyeja kryesore që i ka shtyrë individët drejt huamarrjes në valutë në të shkuarën ka qenë çmimi më i lirë i kredisë.

Por, ngushtimi i ndjeshëm i diferencave të interesave ka bërë që individët të mos kenë stimuj domethënës për ta marrë kredinë në një monedhë tjetër nga ajo e të ardhurave., shprehen ekspertët e bankave. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.