“Akullore si dikur”, festa lokale në Durrës mbledh turistë vendas e të huaj

TIRANË, 18 gusht /ATSH/  “Akullore si dikur” mblodhi në sheshin ”Liria” të qytetit bregdetar të Durrësit qindra pushues, turistë të huaj e banorë të moshave të ndryshme, të cilët shijuan akulloren durrsake, të njohur prej vitesh për shijen e saj unike.

I pranishëm në këtë festë, ministri Klosi tha se prania e madhe e njerëzve dëshmon suksesin e rikthimit të traditës nëpërmjet festave lokale dhe se shpreson që vit pas viti ajo të shndërrohet në një mundësi për të promovuar pasticerinë e famshme të qytetit me produktet tipike të zejtarëve durrsakë.

Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako çmoi rikthimin e traditës si një mundësi për të organizuar disa festa gjatë vitit me qëllim promovimin e produkteve të qytetit te turistët e huaj.

Festa lokale janë alternativa për oferta turistike ndaj ministri Klosi  siguron mbështetjen dhe bashkëpunimin me të gjitha bashkitë në vend, për të promovuar këto festa të cilat ai i vlerëson si energji pozitive për turiznin shqiptar.

“Akullore si dikur” vijon edhe gjatë ditës së diel . Festa lokale që ka protagonist, akulloren e njohur të Durrësit shënon këtë vit edicionin e dytë, duke risjellë për brezat e vjetër e të rinj, por edhe për turistët e huaj që vizitojnë qytetin bregdetar, shijen unike të këtij produkti lokal. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.