Këlcyrë-Memaliaj/ Policia godet dy tentativa të kultivimit të lëndëve narkotike

TIRANË, 17 gusht /ATSH – I. Vata/ – Policia e Shtetit ka goditur sot dy tentativa për kultivim të narkotikëve në Këlcyrë dhe Memaliaj.

Policia e Shtetit vijon kontrollin e territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

“Nga shërbimet e Postës së Policisë Këlcyrë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I.Z., 27 vjeç, banues në fshatin Bubës, Këlcyrë. Në afërsi të banesës së tij u gjetën të kultivuara disa bimë kanabis. Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë, në banesën e shtetasit I.Z. u gjet 1,5 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis”, shprehet Policia.

Po ashtu, Policia referoi materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet për veprën penale “Shpërdorim detyre” për shtetasin Sh.K. kryetar i fshatit Bubës.

Gjithashtu, nga shërbimet e Stacionit të Policisë Memaliaj u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I.Gj., 41 vjeç dhe A.Gj., 42 vjeç, banues në fshatin Gjonçaj, Memaliaj.

Në afërsi të banesave të këtyre shtetasve u gjetën të kultivuara disa bimë kanabis.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Shpërdorim detyre” për shtetasin G.A., kryetar i fshatit Gjonçaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.