Ruçi: Baxhaku, kronikan madhështor i bukurisë së shpirtit njerëzor

TIRANË, 16 gusht /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka nisur sot një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të gazetarit të shquar Fatos Baxhaku.

“Me dëshpërim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit të shquar Fatos Baxhaku. Fatosi ishte bashkëthemelues dhe as i shtypit të lirë dhe drejtoi me kompetencë dhe ndershmëri profesionale disa prej organeve më të lexuara të shtypit shqiptar. Fatos Baxhaku ishte reporteri, studiuesi dhe pedagogu me talent të rrallë, që mësoi dhe edukoi shumë breza gazetarësh”, shprehet ai.

Po ashtu Ruçi thekson se Fatos Baxhaku ishte një kronikan madhështor i bukurisë së shpirtit të thjeshtë njerëzor.

“Pasi lexojmë librat, shkrimet, reportazhet dhe studimet e Fatosit, i duam më shumë të vërtetën, të drejtën  dhe njerëzit”, shkruan në mesazhin e tij ngushëllues Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.