Ndarja nga jeta e Baxhakut, Basha: Ikonë e medias në Shqipëri

TIRANË, 16 gusht /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka shprehur ngushëllime familjes për ndarjen nga jeta të gazetarit Fatos Baxhaku.

Kryetari i PD-së Basha e konsideron gazetarin Baxhaku si një ikonë të medieve në Shqipëri.

“Mësova i tronditur për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit, publicistit dhe historianit Fatos Baxhaku. Një ikonë e gazetarisë së re të Shqipërisë, asaj që lindi si tribunë e fjalës së lirë, bashkë me demokracinë në vitin 1991, Fatos Baxhakut si shumë pionierëve të tjerë të fushës, iu desh të përshkonin të parët shtegun e pashkelur të profesionit dhe etikën e profesionit në të njëjtën kohë. Ai ishte për shumë vjet edhe gazetar, edhe profesor i gazetarisë, edhe polemist e replikues, edhe sindikalist i gazetarëve, edhe mbrojtës i të drejtave të njeriut”.

Po ashtu Basha vlerëson kontributin e gazetarit Baxhaku në shërbim të interesit publik, të mësimdhënies dhe integritetit profesional.

“Fatos Baxhaku i përket asaj plejade gazetarësh që kontribuan më së shumti që të mos e linin gazetarinë të humbte thelbin e vet e të bëhej nga mbrojtëse e interesit publik, në zgjatim të interesave okulte. Në këtë fushë Baxhaku spikati në mësimdhënien e gazetarisë, por edhe si një shembull integriteti profesional dhe pavarësie”.

“Pionier i reportazhit e dokumentarit televiziv, gazetaria shqiptare është me fat që pati për thuajse 30 vjet shërbimet e Fatos Baxhakut. Fatkeqësisht ato nuk do t’i ketë më, por do të shfrytëzojë si thesar trashëgiminë e tij. Në këto momente të vështira i gjendem pranë familjes, në humbjen e pangushëllueshme të njeriut të tyre më të dashur. U prehtë në paqe!”, shprehet ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.