Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti Fatos Baxhaku

TIRANË, 16 gusht /ATSH – I. Vata/ – Shuhet publicisti Fatos Baxhaku një prej emrave të shquar të gazetarisë të periudhës pas rënies së diktaturës në Shqipëri.

Gazetari vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë.

Lajmi për ndarjen nga jeta në moshën 55-vjeçare të Baxhakut, u publikua nga miqtë në rrjetet sociale.

Fatos Baxhaku është një nga gazetarët më të spikatur në vend. Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar.

Baxhaku lindi në Tiranë më 9 janar 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat 8-vjeçare, “Emin Duraku” dhe “20 Vjetori” (sot “Dora D’Istria”).

Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Gjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës pranë Fakultetit Histori-Filologji, ku u diplomua në degën e Historisë.

Që nga 1986 e deri në 1992 punoi në Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998 ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”. Nga viti 2015 punoi si gazetar në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtepa e Vjetër” (Digitalb), si edhe i shumë dokumentarëve televizivë.

Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i Gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës.

Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi me Soros, USAID, Institutin Shqiptar të Medias, OSBE. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.