Fier/ Policia sekuestron 120 mijë euro asete krimi

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Policia e Fierit sekuestroi 120 mijë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Operacioni u organizua në vijim të punës për evidentimin e aseteve dhe llogarive bankare të personave të dyshuar për veprimtari kriminale.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, kanë vendosur sekuestro preventive mbi llogarinë bankare me vlerën 120 mijë euro, të shtetasit T.B.

Shtetasi T.B., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.