76-vjetori i krijimit të Brigadës I Sulmuese, Ruçi: Dita të kujtojmë se Shqipëria europiane i ka rrënjët në Luftën antifashiste

TIRANË, 16 gusht /ATSH – I. Vata/ – “Lufta e Dytë Botërore nuk u fitua si përplasje idesh, por në beteja të përgjakshme në malet, detet, qiejt dhe qytetet e Globit”, tha sot Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ndërsa përshëndet ish-partizanët e Brigadës I dhe Brigadës XIV.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u ka dërguar një mesazh përshëndetjeje ish-partizanëve, veteranëve, pasardhësve dhe familjeve të dëshmorëve të Brigadës I dhe Brigadës XIV Sulmuese.

“Të dashur ish-partizane dhe ish-partizanë të Brigadës I dhe Brigadës XIV Sulmuese, të nderuar pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, Të nderuara veterane, veteranë dhe pasardhës të luftëtarëve dhe çlirimtarëve të Brigadës I, Brigadës XIV dhe të gjithë ushtrisë partizane. Dje, më 15 gusht, përkujtuam me respekt e mirënjohje të thellë 76-vjetorin e krijimit të Brigadës I Sulmuese. Nesër, më 17 gusht, do të përkujtojmë me nderimin që i takon 75-vjetorin e Brigadës XIV Sulmuese”, shprehet ai.

Më tej Ruçi shton se vendosi t’u drejtohet bashkërisht në ditën që i bashkon këto dy data të shënuara, për të shprehur nderimin dhe mirënjohjen e tij të thellë dhe të Kuvendit të Shqipërisë, për ish-partizanet e partizanët, për veteranet e veteranët e respektuar, për familjet e dëshmorëve, të cilat falën gjakun e vajzave, djemve dhe njerëzve të tyre të dashur për të çliruar Shqipërinë nga murtaja nazi-fashiste dhe bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionistë.

“Brigada I Sulmuese ishte formacioni i parë luftarak i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, e cila u formua menjëherë pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të saj. Brigada I u formua në Vithkuq dhe prej andej nisi kontributin e saj heroik dhe të pashembullt për çlirimin e qyteteve e krahinave të Shqipërisë. Bilanci i saj përmban betejat heroike në Mokër e Pogradec, Korçë dhe Elbasan, Berat, Mesaplik e Skrapar, Lunxhëri e Zagori, Dibër e Çermenikë. Kryebeteja e Brigadës së Parë, kurora e saj më e lavdishme, është beteja për çlirimin e Tiranës, kryeqytetit të atdheut tonë të dashur”, thotë ai.

Po ashtu Ruçi tha se Brigada e Parë i dha Çlirimit të Shqipërisë 481 partizane e partizanë dëshmorë dhe 14 Heronj të Popullit.

“Brigada XIV u formua në Sheper më 17 gusht 1944 dhe ka shënuar në historinë e saj beteja e fitore të rëndësishme, të cilat kontribuan në çlirimin e Shqipërisë. Luftërat e saj në Libohovë e Pogon, Lunxhëri e Cepo, bregdetin e Sarandës e Qafën e Kiçokut, Përmet e Këlcyrë, u kurorëzuan në betejën për çlirimin e Gjirokastrës më 18 shtator 1944. Sot është dita të kujtojmë se çlirimi i Shqipërisë është vepër dhe meritë e partizanëve shqiptarë, Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pa Ushtrinë partizane dhe pa Luftën e saj, ndjenjat, pikëpamjet dhe rezistenca antifashiste shqiptare do të ishin asgjësuar nga bisha nazi-fashiste”, thotë ai.

Gjithashtu Ruçi tha se karakteri Antifashist dhe ai Nacionalçlirimtar janë një binom i pandashëm.

“Antifashizmi ishte frymëzimi i Luftës dhe Lufta vetë kurorëzimi i tij. Fashizmi dhe Nazizmi erdhën në Shqipëri, ashtu si në tërë Globin, me ushtri, avionë, tanke, pamporë dhe armë shfarosëse. Prandaj Lufta e Dytë Botërore nuk u fitua në sallone e katedra si një përplasje idesh, por në beteja të përgjakshme në malet, detet, qiejt dhe qytetet e Globit, në të cilat ranë dhjetëra e dhjetëra miliona ushtarë e luftëtarë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare u fitua me sakrificat dhe gjakun e partizanëve e dëshmorëve shqiptarë”, thotë Ruçi.

Fitorja mbi nazi-fashizmin nuk mund të kuptohet pa luftën, betejat dhe dëshmorët e formacioneve ushtarake të vendeve të Koalicionit Antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore: Ushtrisë së Kuqe, Marinës dhe Flotës Amerikane, Ushtrisë dhe Flotës Britanike, pse jo edhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare të partizanëve shqiptarë, e cila luftoi denjësisht në krah të këtyre formacioneve. Shqipërinë e vendosën në anën e duhur të historisë Lufta dhe sakrificat e tyre.

“Sot është dita të kujtojmë se Shqipëria europiane i ka rrënjët në Shqipërinë antifashiste dhe në madhështinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Lavdi të përjetshme veprës së Brigadës I dhe Brigadës XIV Sulumuese!” – thekson Ruçi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.