Thellim i bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të arumunëve

TIRANË, 15 gusht/ATSH/- Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, zhvilloi sot një takim miqësor me përfaqësues të arumunëve të Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë.

Gjatë takimit, Sako garantoi mbështetjen e bashkisë së Durrësit për këtë shtresë, pasi tha ajo, “arumunët e Durrësit kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre për qytetin ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë”.

“Mirëpres shqetësimet dhe nevojat e tyre dhe atë çfarë duhet bërë më mirë ashtu siç i mirëpres nga të gjithë qytetarët e Durrësit”, tha Sako.

Përfaqësuesit arumunë shprehën dëshirën për të thelluar bashkëpunimin me bashkinë e Durrësit në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të arumunëve.

Kryetari i arumunëve të Shqipërisë Valentin Mustaka i dhuroi kryebashkiakes Sako disa libra studimorë në lidhje me arumunët që ndodhen në Shqipëri dhe kontributin e tyre për vendin tonë, por edhe për Durrësin./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.