LONDËR – Johnson dënon një bashkëpunim “të tmerrshëm” mes BE-së dhe deputetëve britanikë

LONDËR, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Kryeministri britanik, Boris Johnson dënoi sot një bashkëpunim të tmerrshëm mes deputetëve të vendit të tij dhe Bashkimit Europian, që pengon sipas tij rinegocimin e marrëveshjes për Brexit.

“Ekziston një bashkëpunim i tmerrshëm mes njerëzve që mendojnë se mund të bllokojnë Brexit-in në Parlament dhe miqve tanë europianë”, deklaroi ai gjatë në seancë të drejtpërdrejtë pyetje-përgjigje në rrjetin social Facebook.

“Miqtë tanë europianë nuk ndryshojnë mendim (…) Ata nuk bëjnë asnjë kompromis për marrëveshjen e tërheqjes edhe pse ajo është hedhur poshtë tre herë nga Parlamenti britanik”, nënvizoi ai gjatë një bisede prej 15 minutash dhe që u ndoq nga 7 500 përdorues të internetit.

“Ata i referohen secilës letër, çdo presjeje të marrëveshjes (…) sepse ata mendojnë se Brexit mund të bllokohet në Parlament”, shtoi ai.

“Sa më shumë të zgjatet kjo, aq më shumë është e mundur që të largohemi me një Brexit pa marrëveshje”, nënvizoi ai.

Kryeministri, Boris Johnson, i cili pasoi Theresa May më 24 korrik, theksoi se Britania e Madhe do të largohet nga BE më 31 tetor, ditë e parashikuar për Brexit edhe pa marrëveshje.

Ai nuk përjashtoi mundësinë për të pezulluar Parlamentin në tetor për të penguar deputetët të bllokojnë një dalje pa marrëveshje./

/ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.