Kukës, bashkia nis punën për ndriçimin e qytetit

TIRANË, 14 gusht /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Kukës ka nisur sot punën për instalimin e ndriçimit të qytetit dhe do ta përfundojë në gjithë njësitë administrative.

Kanë qenë ankesat e vazhdueshme të qytetarëve, për mungesën e ndriçimit në rrugët e qytetit, që ka bërë Bashkinë të nisë punën për instalimin e tij.

Në instalimin e ndriçimit, parashikohen vendosja e llampave, sjellja e energjisë elektrike, shtrirja e kabujve dhe riparimi i shtyllave.

“Ekipet janë shpërndarë në terren, sidomos në lagjet më problematike, aty ku nuk ka fare shtylla ndriçimi. Shërbimet Publike kanë nisur vendosjen e llampave, shtrirjen e kabujve që sjellin energjinë elektrike apo edhe riparimin e shtyllave. Po punohet në disa lagje, përfshi edhe rrugën për te Varrezat Publike. Aksioni, sapo të përfundojë në qytet, do të shtrihet edhe në Njësitë Administrative”, shprehet bashkia. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.