Ristani: Investimet më të reja që do të nisin në shtator

TIRANË, 13 gusht/ATSH-Z.Tosku/ Investimi për transformimin e bulevardit “Zogu i Parë” do të jetë modern, por qasja do të jetë tradicionale, e ngjashme me një nga atraksionet më reja në kryeqytet si Pazari i Ri.

Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani e ftuar në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare tha se nga ky projekt do të preken të gjitha fasadat e pallateve, në disa prej të cilave do të ndërhyhet në mënyrë rrënjësore.

“Ky në fakt është lidhja që duhet bëhet midis sheshit “Skënderbej” me investimin modern që kemi bërë për zgjatimin e Bulevardit. Me parë ka qenë një pasazh jo shumë i këndshëm midis një destinacioni dhe një destinacioni tjetër. Tani duam ta njehsojmë që të mos jetë një zonë kalimtare, por të jetë edhe ajo një destinacion në vetvete. Njësoj siç kemi bërë me shfrytëzimin e pazarit të ri që tashmë është një vend ku ti del me familjen tendë, kalon një pasdite, kështu do të jetë edhe ky segment që jo vetëm që do të përfshijë zgjerimin e trotuareve dhe shfrytëzimin e hapësirës publike por do të ndërhymë edhe në fasadave të të gjithë ndërtesave që janë në krah të rrugës, për t’i njehsuar estetikisht qytetin. Sepse kishte një pauzë shumë të madhe midis këtij sheshi që ka marrë çmime ndërkombëtare por edhe bulevardit që është një strukturë e gatshme për të rivitalizuar dhe për t’i dhënë jetë të re të gjithë pjesës tjetër që do të jetë Tirana e re. Kjo nyje nuk mund të mbetej prapa sepse është shumë afër qendrës, shumë e aksesueshme, ka një frekuentim shumë të madh. Ndërhyrjet tona janë rrënjësore në infrastrukturë, trotuaret do të dyfishohen mesatarisht. Pra, nëse deri tani janë deri në katër metër të gjerë do të jenë deri në 8 metër të gjerë, gjë që të krijon mundësi edhe për organizuar evente. Por, do të ketë edhe hapësira pushimi,  lulishte të vogla përgjatë të gjithë segmentit. Fasadat e pallateve të gjitha do të preken. Në disa prej ndërtesave do të ndërhyjmë në mënyrë rrënjësore. Investimi do të jetë modern por qasja do të jetë tradicionale”, -tha Ristani.

Më tej, nënkryetarja e bashkisë së Tiranës foli për perspektivën e kryeqytetit në katër vitet e ardhshme nga ku theksoi se Tirana do të kthehet në një pikë për vendtakime me rëndësi ndërkombëtare.

“Tirana në sytë e të huajve është një qytet europian, një qytet super dinamik, më një jetë shumë të gjallë dhe me një energji shumë të vlefshme për ata që jo vetëm duan ta shohin si një destinacion për t’a vizituar, jo vetëm që kanë kuriozitet por mbase kanë edhe iniciativat e tyre. Ne kemi shumë të rinj që kanë idera shumë të mira biznesi inovatore, qoftë ne fushën e teknologjisë, qoftë në fushën e informacionit, artit apo të krijimeve që mund të kenë dhe duam të krijojmë këtë mjedis të tillë që të bëhet interesant jo vetëm një vend për t’u vizituar por edhe një vend për t’u konsideruar për biznese apo evente të tjera.

Tanimë sipas saj, Tirana është një qytet për të cilin flasin mediat më prestigjioze ndërkombëtare.

“Ne kemi pasur një bekim shumë të madh sepse kemi pasur mbështetjen e të gjithë qytetarëve të Tiranës gjatë këtyre katër viteve dhe puna ka shkuar paralelisht. Sa më i pastër ka qenë qyteti nga ndërmarrjet tona, aq më shumë ka bashkëpunuar qytetarët që të mos e ndotin më shumë. Kështu që mendoj që kemi ecur në një sinergji shumë të fortë. Kjo e tregon nga fakti se kemi qenë prezent më shumë sesa një herë në media shumë  të rëndësishme ndërkombëtare. “Guardian” ka bërë një artikull shumë të gjatë për Tiranën, ku ka treguar nga A-ja tek ZH-ja sesi një destinacion i pazbuluar apo një qytet në mes të Ballkanit që në fakt po ecën më përpara se të gjithë të tjerët. Kjo na ka bërë shumë krenarë por është një punë që nuk ndalon asnjëherë për qytete të zhvilluara dhe të stabilizuara tashmë dhe jo më për ne që të rekuperojmë kohë të humbur nga më përpara.

Ristani tha se ngjarja më e madhe e teknologjisë digjitale në rajon do të mbahet në Tiranë.

“Piramida është ndër ato projekte për të cilat ne jemi shumë krenarë dhe që me shumë krenari e tregojmë dhe do të jetë edhe pjesë e asaj që do të flitet në Samitin Dixhital që 2020 do të mbahet në Tiranë. Samiti dixhital është një nisme e gjithë Ballkanit Perëndimor, vjet u organizua në Sarajevë dhe këtë vit do të mikpritet në Tiranë nëpërmjet organizimit nga ministria e Infrastrukturës. Piramida do të jetë një qendër e edukimit të brezit të ri ku në në teknologjinë e informacionit dhe të tëra ato që janë kaq shumë të kërkuara në treg sot. Do të ketë kurse që nga realiteti virtual, që nga grafik dizanj, që nga animacioni. Fëmijët në nivele të ndryshme nëpërmjet lojës do të arrijnë të mësojnë disa aftësi që fatkeqësisht ne ende në shkollat tona nuk kemi mundësi t’iu kultivojmë. Në varësi të talentit të tyre, angazhimit dhe punës që do të bëjnë do të kenë mundësi të lëvizin në nivele të tjera ku në një stad të caktuar do të punojnë së bashku për projekte që nuk kanë kufij. Mund të punojnë për projekte që importohen nga “Los Angelos” apo mund të krijojnë realitete virtuale të Kështjellave historike nëpër vende të ndryshme për efekte të turizmit apo të akademisë. Pra, është një mundësi fantastike për brezin e ri që të marrin një formim pavarësisht interesit të tyre për atë që i pret në tregun e punës në të ardhmen. Kjo nuk mund të menaxhohet nga administrata e bashkisë. Do të krijohet një organizatë që do të jetë përgjegjëse për programi dhe programi është i plotësuar nga ekspertë, pra nuk jemi ne punonjësit e bashkisë që e udhëheqim dhe sipas atij programi do të krijohet edhe modeli i biznesit me të cilën do të eci Piramida”, -tha nënkryetarja.

Ajo deklaroi se punimet për rikonstruksionin e Piramidës do të nisin këtë vjeshtë.

“Punimet do të kryhen nga ana strukturore nëpërmjet projektit që mundëson më shumë shfrytëzim të hapësirave dhe më shumë akses ndaj ndërtesës që ka qenë pak a shumë e konceptuar pak më hermetike për shfrytëzimin publik dhe financimi do të jetë trepalësh, nga bashkia e Tiranës, nga Fondi Amerikano-Shqiptar të Zhvillimit dhe qeverisë shqiptare.  Ky investim trepalësh do të mundësojë që të ketë infrastrukturën në vend dhe të zhvillohet i njejti program që zhvillohet sot në Paris apo që u eksperimentua për herë të parë Jerevan, nga investitorë me origjinë Armene por që kanë krijuar kompani shumë të mëdhaja në Shtetet e Bashkuara. Programi do të jetë i njëjtë më ta dhe do të jetë i menaxhuar pikërisht nga këta ekspertë për të gjithë fëmijët. Kapaciteti është shumë. Bëhet fjalë me qindra. Qendra në Jerevan mirëpret deri në 300 fëmijë në ditë dhe kapaciteti i Piramisës sipas atyre që e kanë parë dhe vlerësuar, është edhe më i madh se kaq. Mosha nga 8-16 vjeç. Punimet do të nisin këtë vjeshtë”, -tha ndër të tjera ajo.

Sipas saj, një nga projektet më mëdha ku bashkia e Tiranës do të investojë është pika e grumbullimit të produkteve bujqësore për të gjithë pjesën lindore të kryeqytetit që nuk ka akses në tregun e kryeqytetit.

“Një nga projektet më mëdha do të jetë qendra e agro biznesit, e grumbullimit të produkteve bujqësore për të gjithë pjesën lindore të kryeqytetit që nuk ka akses në tregun e kryeqytetit. Fermerët e atyre zonave mund të shesin dhe grumbullojnë produktet e tyre pa pasur nevojën për të bërë lëvizje të mëdha për t’i sjellë ato në qendrën që tani është në Kashar. Ky është një projekt shumë i madhe dhe shumë i rëndësishëm për ekonominë e fshatit. Nga ana tjetër, me agjenci të tjera jemi duke parë shumë mundësinë e incentivimit të agro-biznesit që të kenë mundësi të shfrytëzojnë tokat e tyre, të kenë mundësi t’i kthejnë në shtëpi mikpritëse për turistët”, -sqaroi nënkryetarja.

Ristani ndau edhe detaje nga projekti i Kopshtit Zoologjik. “Ky ka qenë një ndër projektet e para që kemi nisur. Sot ka ndryshuar pak koncepti i kopshtit zoologjik për nga aspekti njerëzor i trajtimit të kafshëve dhe nga ajo që duam t’i mësojmë fëmijëve, si frekuentuesit kryesor të këtyre hapësirave. Nëse ne e kemi konceptuar kopshtin zoologjik si një vend ku ti shkon dhe shikon kafshë prapa kangjellave dhe kafsha është si në një tip burgu, sot ideja është që njerëzit duhet të jenë ata që të mbrohen  dhe kafshët të jenë në habitatin e tyre natyral”, -përfundoi ajo. z.tosku/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.