HONG KONG – Kaos në aeroport si pasojë e manifestimeve

HONG KONG, 13 gusht /ATSH-AFP/ – Aeroporti i Hong Kongut u përball sot me ditën e dytë kaotike me ndërprerjen dhe anulimin e qindra fluturimeve për shkak të manifestimeve pro-demokracisë, ndërkohë që qeveria lokale i akuzon se po e çojnë qytetin në një rrugë pa kthim.

Ndërkohë që dhjetëra mijëra pasagjerë u penalizuan nga ky veprim i ri i protestuesve, Kina ka rritur kërcënimin për një ndërhyrje, nëpërmjet videove të publikuara nga media zyrtare që tregojnë shumë forca në drejtim të rajonit gjysmë autonom.

Ish-kolonia britanike po kalon krizën më të rëndë politike që prej rikthimit në Pekin në vitin 1997.

Në ditën e pestë të një mobilizimi të pazakontë në aeroport, protestuesit kanë bllokuar rrugicat dhe vendkalimet që të çojnë në zonat e nisjes së dy terminaleve.

Në reagim, autoritetet aeroportuale kanë marrë vendim të anulojnë procedurat e regjistrimit pët të gjitha fluturimet duke nisur nga mesdita.

Sot në mbrëmje, policia ka përdorur gaz lotsjellës. Një automjet që transportonte 20 protestues është bllokuar nga qindra mijëra manifestues radikal./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.