Bardhi: Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali

TIRANË, 13 gusht /ATSH – I. Vata/ -Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi publikoi sot disa dokumente sipas tij, kartela e nxjerrë nga kuestura e Firences, që tregon se kryebashkiaku i Shkodrës Valdrin Pjetri ka qenë dënuar në Itali me 18 muaj burg dhe një mijë euro gjobë për shpërndarje droge.

“E vërteta është se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar. I dënuar për trafik droge. Duke qenë se Prokuroria po e zvarrit çështjen, Partia Demokratike po sjell prova autentike për dënimin në Itali, Firenze, të drejtuesit politik të Edi Ramës në Shkodër, pretendentin për Kryetar Bashkie”, tha Bardhi duke publikuar disa të dhëna sipas tij, nga sistemi i Kuesturës së Firences.

“Më datë 28 Janar 2003, përpara gjykatës, Valdrin Pjetri ka pranuar kryerjen e krimit dhe fajësinë, duke nënshkruar marrëveshje për dënimin e tij të menjëhershëm sipas legjislacionit penal Italian.   Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim”, tha Bardhi.

Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, shtoi ai, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit.

Duke iu referuar ligjit për dekriminalizimin, Bardhi tha se nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për  “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e e narkotikëve” dhe nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së, siç është Italia në rastin e Valdrin Pjetrit, në lidhje me këto vepra penale.

Ai tha se Partia Demokratike i kërkon organit të prokurorisë nisjen e mënjëhershme të procedimit penal ndaj shtetasit Vladrin Pjetri, për kryerjen në mënyrë të përsëritur, në të paktën 4 raste, të krimit të falsifikimit të Formularit të Dekriminalizimit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.