FOTO/Rrezikohej jeta e udhëtarëve dhe e banorëve, drejt përfundimit punimet në aksin Elbasan-Labinot Mal

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ – Gjatë këtyre ditëve të sezonit veror në bashkinë e Elbasanit po vijon puna intensive në shumë kantiere publike.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sot së bashku me kryetarin e bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ishin në Labinot Mal, një njësi e madhe administrative e Elbasanit me shumë shtrirje dhe me shumë banorë për të parë nga afër dëmtimin një pjese të aksit rrugor Elbasan-Labinot Mal.

Dëmtimi i një pjese të aksit rrugor Elbasan-Labinot Mal për shkak të rrëshqitjeve të tokës ishte kthyer në problem serioz për qarkullimin. Shembja ndodhi në një kthesë të vështirë e të rrezikshme, në një gjatësi të konsiderueshme.

“Duke u kërkuar ndjesë banorëve për vonesën, dua t’i informoj se nisëm këto ditë riparimin e pjesës së shembur, investim i cili konsiston në ngritjen e murit të rrugës në një gjatësi të konsiderueshme, bordurat mbrojtëse me të gjithë sistemin e sigurisë, zgjerimin dhe asfaltimin”, u shpreh Balla.

Balla tha se “dëmtimi i kësaj rruge ka qenë një prej problemeve kryesore që e kemi ngritur prej kohësh sepse janë të shumtë banorët e gjithë Njësisë Administrative Labinot Mal që prekeshin nga mungesa e këtij aksi rrugor. Sot jemi në prag të përfundimit të punimeve që kanë bërë të mundur, jo vetëm risistemimin, por edhe zgjerimin, dhe asfaltimin e kësaj pjese, e cila është një nga pjesët më të vështira”.

“Nëse do të vijohej të lihej në gjendjen që ishte rrezikohej, jo vetëm jeta e udhëtarëve, por edhe jeta e banorëve poshtë na Labinot Fushë sepse muri i gurit, në degradim e sipër, ishte shndërruar në një rrezik të madh për banorët”, u shpreh Balla.

Ky ishte një investim emergjent, por për Kryetarin e Bashkisë, investimet në të gjitha Njësitë Administrative do të jenë të vazhdueshme.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja u shpreh se, “jemi përpjekur të ruajmë balancën e investimeve në të gjitha Njësitë Administrative, jemi përpjekur të ofrojmë të njëjtin shërbim cilësie. Shembja e kësaj pjese të rrugës ishte bërë një problematikë shumë e madhe për të gjithë qarkullimin e zonës”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.