Lirohet plazhi në Qerret e Spille, ndjekje penale për zyrtarët e Tatimeve

TIRANË, 11 gusht/ATSH/A. Fortuzi/- Vijon operacioni ” Plazh i lirë”, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.

Sipas Policisë, në kuadër të këtij operacioni janë liruar nga Policia e Kavajës në plazhin e Qerretit dhe në Spilles rreth 1000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.  Policia e Kavajës ka sekuestruar edhe rreth 200 komplete çadra e shezlongë të vendosur në mënyrë të paligjshme.

Në kuadër të operacionit, u proceduan 2 përfaqësues subjektesh konkretisht A.B dhe E.H, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Pushtimi i tokës”, pasi në Qerret dhe në Spille këta shtetas kishin zënë hapësirën e plazhit me shezlonge, çadra e karrige në mënyrë të paligjshme.

Policia e Kavajës ka përcjellë dokumentet në Prokurori edhe për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, në ngarkim të zyrtarëve të tatim taksave në Bashkinë Kavajë, të proceduar më parë gjatë operacionit “Plazh i Lirë” të zhvilluar në Golem, të cilët nuk kanë kryer detyrën, duke lejuar që këto biznese dhe të tjera të proceduara më parë nga Policia, të ushtronin aktivitet në mënyrë të kundërligjshme. Operacioni është në vijim në gjithë vijën bregdetare.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.