FOTO/ Kurban Bajrami, Rama uron besimtarët me pamje nga Xhamia e Pazarit të Gjirokastrës

TIRANE, 11 gusht/ATSH/- Me pamje nga rikonstruksioni i Xhamisë së Pazarit të Gjirokastrës, Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Rama ka publikuar edhe foto nga puna për nxjerrjen në dritë të kësaj Xhamie, e cila i mbijetoi shkatërrimeve nga regjimi komunist.

“Me këto pamje të punës së bukur për nxjerrjen në dritë të Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, GËZUAR KURBAN BAJRAMIN”, shprehet Rama.

Xhamia e Pazarit mori statusin monument kulture në vitin 1973.

Pas dekadash lënie në rrënim, Xhamia iu nënshtruar rikonstruksionit për të nxjerrë në dritë vlerat e saj kulturore e artistike duke u kthyer në referencë kyçe të itinerarit turistik në qytetin e gurtë.

Kjo ndërtesë datohet nga mbishkrimi ndërtimor në vitin 1754-55 (1168 h).  Në vitin 1967, ajo është mbyllur për adhurim nga regjimi i kohës dhe është përdorur si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. Pas rrëzimit të regjimit në vitin 1991, xhamia është rihapur sërish për adhurim.

Xhamia është në formë kubike, e ndërtuar mbi një kornizë tetëkëndore. Çatia e kupolës kryesore është e mbuluar me gurë. Në anën e djathtë gjendet një tyrbe me çati tetëkëndore e mbuluar me gurë. Gjatë ndërtimit janë përdorur gurë gëlqeror të punuar me ngjyrë të bardhë dhe hiri. Arkitektura e kësaj xhamie përshtatet me arkitekturën e dyqaneve të çarshisë.

Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja, veç nënstrukturave që përmendëm. Salla e lutjeve është katrore në plan, me përmasa të brendësisë 8,85 x 8,95 dhe mbulohet me kupolë mbi trompa në qoshet.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.