Voda: Rezultatet e operacioneve të përbashkëta me Guardia di Finanza pozitive

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ – Zv/Ministrja e Brendshme, Rovena Voda ka kujtuar takimin para dy viteve me prokurorin e Antimafias italiane, Nicola Gratteri, ku kanë ndarë të njëjtat qëndrime lidhur me luftën kundër krimit dhe grupeve kriminale.

“Mbresëlënës takimi i dy viteve më parë me prokurorin e Antimafias italiane Nicola Gratteri, ku ndamë të njëjtat qëndrime për grupet kriminale, tipari i të cilave tashmë është ai i një krimi që vepron ndërkombëtarisht, ndaj dhe sfidat e agjencive ligjzbatuese të çdo vendi lidhen ngushtë me bashkëpunimin ndërkombëtar ndërmjet tyre”, shprehet Voda.

“Pra, shkëmbim informacioni në kohë, bashkëpunim policor intensiv dhe më shumë grupe të përbashkëta hetimore”, thekson zv.ministrja duke shtuar se “pas dy vitesh nga ky takim, jam e lumtur të them që rezultatet e fluturimeve ajrore të Guardia di Finanza kanë qenë pozitive, dhe një numër në rritje i operacioneve të përbashkëta policore dhe hetimore”.

“Sot Shqipëria është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor, që ka një oficer ndërlidhës të EUROPOL dhe një marrëveshje me FRONTEX”, përfundoi zv.ministrja Voda. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.