Mbyllet një tjetër pikë karburanti, Rama: Zero tolerancë ndaj kujtdo që i bën karshillëk ligjit dhe konsumatorit

TIRANË, 10 gusht /ATSH/ – “Zero tolerancë ndaj kujtdo ndër këta, që i bën karshillëk ligjit, shtetit, konsumatorit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke folur për operacionin kundër informalitetit që ka nisur të zbatohet me kontrolle intensive në terren.

Një tjetër pikë karburanti u mbyll sot pasi nuk paguante detyrimet ndaj shtetit dhe konsumatorëve.

Duke publikuar këtë rast kryeministri Edi Rama thekson se “qasja sensibilizuese, edukative, tolerante për të mos stresuar biznesin, u zgjat shumë dhe prodhoi pak sukses për kohën që mori. Qasja e re do të jetë përditë e më kërkuese, reaguese dhe ndëshkuese, pa asnjë dallim tjetër përveç kufirit të ligjit”.

Rama theksoi se, “nëse për shembull, sot, të gjithë konsumatorët paguajnë energjinë, nuk ka më fare-fare asnjë lloj justifikimi, që bizneset të mos paguajnë detyrimet ndaj shtetit dhe konsumatorëve”. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.