MV – Një rast korrupsioni rindez akuzat pozitë-opozitë

SHKUP, 9 gusht /ATSH-MIA/ – Video incizimi i publikuar dje në edicionin online të gazetës italiane “La Verita” lidhur me rastin ”Reket” irritoi opinionin publik maqedonas, fokusi i të cilit prej javësh të tëra është në punën e Prokurorisë Publike, si edhe i dha një mundësi të re pushtetit dhe opozitës për shkëmbimin e akuzave të ndërsjella për atë se kush qëndron pas rastit që siç duket po merr përmasa ndërkombëtare.

Videoja nga takimi i të dyshuarve në rastin ”Reket”, Bojan Jovanovski (Boki 13) dhe Zoran Mileski (Kiçeec) me biznesmenin Jordan ”Orce” Kamçev është xhiruar në shkurt të këtij viti.

Në xhirim shihen kartëmonedha të paketuara me specifikime të shkruara me dorë në fleta letre, ndërkaq dëgjohet edhe biseda e Jovanovskit dhe Kamçevit ku përmendet edhe prokurorja speciale publike, Katica Janeva.

Nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, që drejton ”Reket”, nuk saktësojnë se a e kanë si dëshmi materiale video incizimin që publikoi ”La Verita”.

”Të gjitha dëshmitë të cilat Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion i posedon në lëndën për të cilën tregoni interes do t’i prezantojë para gjykatës kompetente gjatë procedurës eventuale gjyqësore. Lënda është në fazën e hetimit në të cilën në vazhdimësi po punohet në sigurimin e të gjitha dëshmive”, deklaruan për MIA-n nga Prokuroria.

Prokuroria Speciale Publike (PSP), ndërkaq, lidhur me video incizimin e publikuar, tha se me të ”padyshim konfirmohet se nuk ka lidhje mes të thënave në xhirim dhe propozimeve të cilat janë sjellë nga ana e tyre”.

Në kumtesën e publikuar në faqen web të PSP-së, më 6 shkurt të vitit 2019, kjo Prokurori publike ka parashtruar te Gjykata e Apelit Shkup propozime për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për tre personat e dyshuar. Duke vepruar për këto propozime, Gjykata e Apelit Shkup më 7 shkurt të vitit 2019 solli vendim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Më pas, siç thekson, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Shkup, tre personat e dyshuar kanë apeluar në Gjykatën Supreme.

Nga LSDM-ja në pushtet dolën me vlerësim se gjithçka që ndodh, përfshirë edhe publikimin e xhirimit, është pjesë e skenarit të përgatitur paraprakisht për asgjësimin e shtetit juridik dhe integrimeve në BE dhe në NATO dhe shprehin bindje se kjo në të vërtetë vetëm do ta përshpejtojë hetimin për rastin ”Reket”.

Ndërkaq nga VMRO-DPMNE-ja opozitare thonë se Janeva është ekzekutuesja institucionale e zhvatjes milionëshe, por edhe se Boki 13 dhe Kiçeec janë vetëm tentakulat e oktapodit kriminal të pushtetit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.