Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohen në Morinë një belg dhe kosovar

TIRANË, 8 gusht/ATSH/-Një shtetas belg dhe një shtetas kosovar të cilët ishin në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në pikën kufitare të Morinës.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë është arrestuar  shtetasi belg : K. Q, 26 vjeç, lindur në Hoy, Belgjikë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar i shpallur nga Interpol Brukseli, Belgjikë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Antwerp, Belgjikë me datë 28.05.2019  ka lëshuar urdhërin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal”, “Trafikim i narkotikëve dhe perkusorëve” parashikuar nga nenet e Kodit Penal belg. Nga hetimet e filluara me datë 07.10.2017 ka rezultuar se K. Q, është pjesëtar i një organizate kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta kokainë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin/Belgjikë, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Belgjikës.

Po nga Shërbimet e  Policisë Kufitare Morinë u arrestua shtetasi kosovar : H. B, 28 vjeç, lindur  në Dubrav, Kosovë. Shtetasi H B, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, pasi Autoritetet gjyqësore të kantonit të Gjenevës, Zvicër me datë 08.07.2019 kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja”, “Dëmtim prone” dhe “Dhunim banese.

Në harkun kohor 21 Dhjetor 2018 dhe 13 Mars 2019, në kantonin e Gjenevës, H.B, dyshohet se ka kryer 21 vjedhje, duke  hapur me forcë dyert, dritaret e banesave, ka hyrë në shtëpitë dhe apartamentet private dhe ka vjedhur objekte dhe shuma të ndryshme parash. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bern/Zvicër, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Zvicrës.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.