MUZIKË – Fansat e ”Beatles” kujtojnë 50-vjetorin e fotos së ”Abbey Road”

LONDËR, 8 gusht /ATSH-AFP/ – Fansat e ”Beatles” u mblodhën sot pranë studiove londineze të “Abbey Road” për të kujtuar 50-vjetorin e fotos së grupit që ilustron albumin e tij të fundit “Abbey Road”, që është bërë një prej kopertinave më të famshme në historinë e muzikës.

Fotoja e legjendarëve “Fab Four” tregon katër anëtarët e grupit duke kaluar një rrugë këmbësorësh para studiove ku u regjistrua albumi “Abbey Road”. John Lennon kryeson marshimin, i ndjekur nga Ringo Starr, Paul McCartney dhe George Harrison.

Ideja ishte fillimisht e McCartney, i cili kishte skicuar katër burra të rinj të thjeshtë në një kalim për këmbësorët.

Fotoja u shkrep rreth orës 11:35 të 8 gushtit 1969 nga fotografi skocez, Iain Macmillan. Kjo orë e ditës ishte zgjedhur për të shmangur fansat, të cilët e dinin që grupi mbërrinte përgjithësisht në studio në mesditë për regjistrime.

I përkulur në një karrige të vendosur në rrugë, ku qarkullimi ishte ndaluar nga një polic, Macmillan shkrepi gjashtë foto, prej të cilave vetëm e pesta u përdor, ajo ku katër ”Beatles” ecnin bashkë./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.