Meta kthen për shqyrtim në Kuvend ligjin për koncesionin Milot–Balldren

TIRANË, 8 gusht /ATSH – I. Vata/ -Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren”

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, në përfundim të shqyrtimit të ligjit konstatohet se: “Ligji dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës;  Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit|”.

Po ashtu, presidenti argumenton se “Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik, është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj; Mungesa e një vlerësim të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit; Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë; Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces”.

Po ashtu në vijim presidenti Meta shton se “Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit; Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.