Zhbllokohet Taiwani, Braçe-gjyqtarit: I kishe sytë mbi ligj apo funksionove me veshë në telefon duke dëgjuar poezi romantike parash

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ – Kompleksi i Taiwan i bllokuar disa ditë më parë pasi nuk priste kupon tatimor, u zhbllokua sot nga gjykata. Lajmi u bë i ditur nga zëvendëskryeministri Erion Braçe, i cili shprehet se kompleksi Taiwan është zhbllokuar nga gjykata dhe jo nga ligji apo nga qeveria.

Braçe thekson se “Taiwani u zhbllokua sot nga gjykata, gjykatësi Gentian Hamiti! Në shkelje të hapur të ligjit”.

“Taivani nuk është biznes vip!!! Taiwai nuk është biznes vip për shkak të qarkullimit të vogël!!! Taiwan ka qarkullim të vogël sepse nuk e dokumenton atë me kuponë tatimore!!! Tamam për këtë, Taiwan u bllokua të premten e javës që kaloi! Taiwan u zhbllokua sot nga gjykata! Jo nga qeveria, jo nga politika, jo nga tatimet, jo nga ligji! Zero! Taiwan u zhbllokua sot nga gjykata, gjykatësi Gentian Hamiti! Në shkelje të hapur të ligjit! Taiwan u gjet të premten e shkuar, pa kupon tatimor në tavolinat e restorantit të tij”, nënvizon Braçe.

Zv/kryeministri Braçe sqaron se “sipas ligjit për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë; neni 122/ pika b/ germa ii) thuhet: konstatimin (verifikimin) tjetër pas konstatimit të parë, sipas nëndarjes i të kësaj shkronje, nëse tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshoj kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo shërbimeve, përveç aplikimit të dënimit si në nëndarjen i) dhe në këtë rast merret masa e bllokimit të veprimtarisë në vendin ku është konstatuar shkelja për 30 ditë kalendarike”.

“Tatimet kanë zbatuar pikë për pikë këtë nën dhe këtë gërmë! Kanë zbatuar ligjin! Kanë mbrojtur interesin publik të cënuar rëndë nga veprimtaria e paligjshme, e përsëritur nga kompania Taivan!”, shprehet ai.

Sipas tij, dëmi mund të jetë kolosal, kur dyshimi shtohet nga ky kupon jo tatimor gjetur në atë tavolinë që mban numrin rendor 38168.

“Gjykatës në cilin ligj u bazove? I kishe sytë hapur e mbi ligj apo funksionove me veshë në telefon duke dëgjuar poezi romantike parash? Ligji i tatimeve ishte ky! Ligjit yt thotë qartë se, sigurimi i padisë mund të vendoset kur nuk cenohet rëndë interesi publik! Si ka mundësi që zgjodhe ti dalësh zot interesit të paligjshëm të privatit dhe jo interesit publik të cenuar rëndë nga privati?”, thekson Braçe.

Zv/kryeministri shprehet se “nuk dua përgjigje nga ty! Për ty dhe çdo sivlla me ty, pjesë e kësaj drejtësie të padenjë, të padobishme e shpesh të korruptuar, kthyer në biznes banal kundër interesit publik, dua të them: nga nesër, secila nga këto dosje do i kalojë organeve të vetingut, si pjesë thelbësore e veprimtarisë suaj profesionale nën gjykim nga këto organe”.

“Ne do apelojmë menjëherë vendimin tënd! Ajo që po bëjmë me të paligjshmit në treg nuk ka kthim! As nga ju!”, përfundon Braçe./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.