Zgjedhjet e 30 qershorit dita e mësimit historik, PD të heqë dorë nga urdhrat

TIRANË, 7 gusht /ATSH/- 30 qershori është dita e mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjalë boshe dhe askush më kurrë s’mund të tentojë t’ia marrë popullit sovranitetin për interesa të ulëta dhe hesape të turpshme politike, deklaroi sot Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një intervistë televizive, Balla theksoi se “respektimi i vendimit të popullit përmes procesit të zgjedhjeve është domosdoshmëri dhe në 6 bashkitë e vendit autoritetet e zgjedhura vijojnë të marrin detyrën që u ka ngarkuar sovrani”.

“30 qershori u verifikua edhe nga misioni i OSBE-ODHIR, përmes raportit paraprak, i cili tha se këto zgjedhje ishin të lira e demokratike”, – tha Balla.

Duke folur për konstituimin e këshillave bashkiakë dhe betimin e kryetarëve të rinj të bashkive, Balla u shpreh se Basha kishte urdhëruar sot kryebashkiakun e Kamzës, Xhelal Mziu, që të mos i lironte zyrën pasardhësit të tij të PS, Rakip Suli.

“PD të heqë dorë nga urdhrat. Më thanë sot se Mziu është urdhëruar nga Basha për të mos liruar zyrën”, tha ai.

“Ky është një mandat i rëndësishëm dhe i veçantë, pasi edhe zgjedhjet e 30 qershorit ishin të veçanta. Ishin përgjegjësi e madhe për ne. Niveli i papastërtive ishte i tmerrshëm, ka disa punë konkrete. PD në gjithë këto vite nuk arriti të kishte një model të vetin të qeverisjes vendore. Ne kemi plot modele të suksesshme të qeverisjes dhe jam shpresëplotë se në 60 bashkitë ku PS qeveris do mundohemi ta zgjerojmë këtë model të mirë. Këto modele na kanë bërë të jemi të vetëdijshëm për nevojën për t’iu shërbyer njerëzve me seriozitet dhe përkushtim”, – theksoi Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së tha gjithashtu se “jam njohur sot në disa bashki ku kanë qeverisur përfaqësues të opozitës, PD e LSI, me kontrata të paligjshme të lidhura dhe në orët e fundit të largimit, që janë të dëmshme”

Sipas tij, është detyrë e kryetarëve të rinj që t’i bëjnë publike.

Lidhur me kthimin e ligjeve nga Presidenti Ilir Meta, Balla tha se “ky President nuk është më i paparashikueshëm. Edhe kur është në majë të malit, nxjerr dekrete dhe kjo bën të kesh dyshime për mënyrën e funksionimit të zyrës së tij. Por kur ka bërë faje më të rënda, këto të voglat nuk na bëjnë më përshtypje”./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.