KESH: Pavarësisht një viti të thatë, niveli i liqenit të Fierzës mbi mesataren shumëvjeçare

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ – Duke marrë shkas nga disa raportime jo të sakta në media, mbi nivelin e ujit në liqenin e Fierzës, ka reaguar Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, duke deklaruar se “situata në të gjithë kaskadën e lumit Drin është në kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm, duke menaxhuar në mënyrë optimale prodhimin e energjisë”.

Në reagimin për mediet, KESH thekson se veprat hidroenergjetike të kaskadës së Drinit po administrohen në një regjim optimal shfrytëzimi, në përputhje të plotë me parashikimet e Rregullores për Menaxhimin e Plotave”.

“Sjellim në vëmendje të opinionit, se falë mirëadministrimit dhe menaxhimit të prurjeve në kaskadë gjatë periudhës së fundit, pavarësisht një viti të thatë dhe me reshje të pakëta, niveli i liqenit të Fierzës është sot mbi mesataren shumëvjeçare. Niveli mesatar shumëvjeçarë në liqenin e Fierzës për datën 6 gusht është 281.36 metra, ndërsa niveli i datës 6 gusht 2019, i raportuar në një media ditën e djeshme në mënyrë jo të saktë, është 286.85 metra, ose 5 metra e gjysëm më i lartë nga mesatarja shumëvjeçare”, thekson KESH.

Gjithashtu, KESH siguron opinionin publik se do të vijojë prodhimin e energjisë elektrike duke menaxhuar dhe administruar në mënyrë optimale prurjet në kaskadën e lumit Drin, gjithashtu mbetet i hapur për të bashkëpunuar me median për të informuar në mënyrë të saktë e në kohë reale opinionin publik për situatën në kaskadën e lumit Drin. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.