Presidenca reagon pas deklaratës së Ballës: Nesër rikthejmë një tjetër ligj

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Presidenca i është përgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Taulant Balla duke thënë se ditën e nesërme do të kthejë një tjetër ligj pas atij të sotmit.

Presidenti Meta riktheu për shqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin për Kodin Penal, ndërsa Balla deklaroi se ndryshimet e miratuara nuk mund të ndalohen nga Meta.

Zëdhënësi i Metës, Tedi Blushi në reagimin i tij thotë se: “Që t’i dhimbsen policët Tao Taos, kjo është një shaka që përmbys së qeshuri të gjithë pushuesit në plazh, të cilët e dinë veprimtarinë e tij plot bëma kundër ligjit dhe në shërbim të të fortëve. Presidenti i ka vlerësuar qëllimet pozitive të ligjit në parim, por i ka rikthyer ndryshimet e propozuara në Kodin Penal për t’u bërë përmirësimet e domosdoshme për zbatim efikas. Në kushtet kur Tao Tao drejton opozitën në Parlament dhe kur Tao Taot kanë bllokuar prej dy vitesh Gjykatën Kushtetuese, është detyrë e Presidentit të shqyrtojë me rigorozitet maksimal çdo ligj, me qëllim përmirësimin e tyre si në rastin konkret”, -thotë Blushi.

Sipas tij, halli kryesor i Ballës nuk është ky projektligj, por projekligji tjetër që është kthyer dhe që do publikohet nesër. “Pakica që nuk njeh rotacion, jo vetëm që nuk ia prish pushimet malore Presidentit me kërcënimet e saj të lodhura, por e frymëzon për të ngjitur maja më të larta në ditët që vijnë. Ndërsa përsa i takon shtatorit, Presidenti është besimplotë se do ta gjejë në Majën më të lartë, atë të Korabit”, -përfundon zëdhënësi i Metës.

z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.