PEKIN – Kina kundërshton akuzat amerikane për manipulimin e juanit

PEKIN, 6 gusht /ATSH-AFP/ – Banka Qendrore kineze u mbrojt sot përballë SHBA-së, që akuzoi një ditë më parë Kinën për manipulim të monedhës pas rënies së juanit përballë dollarit.

“Pekini kundërshton me forcë deklaratat e sekretarit amerikan të Thesarit, Steven Mnuchin”, reagoi Banka Qendrore që kontrollon përqindjen e këmbimit valutor të monedhës kineze.

“Pala amerikane nuk i mori parasysh faktet dhe e cilësoi Kinën si manipulatore të monedhës”, shtoi ajo në një komunikatë.

SHBA-ja akuzoi zyrtarisht Kinën për dobësimin e monedhës së saj, ndërkohë që ajo kaloi pragun simbolik prej 7 juanëve për një dollar, një veprim që ka rritur tensionet mes dy gjigantëve ekonomikë si edhe nervozizmin e tregjeve.

“‘Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, nën urdhërin e presidentit amerikan, Donald Trump, arriti në përfundimin se Kina kishte manipuluar monedhën e saj”, theksoi Departamenti amerikan i Thesarit në një komunikatë.

“Duke rezultuar nga ky përcaktim, që Kina ka manipuluar monedhën e saj, sekretari Mnuchin do të diskutojë me Fondin Monetar Ndërkombëtar për eliminimin e avantazhit konkurrues, krijuar nga vendimet e fundit kineze”, vijon komunikata.

Vendimi i marrë nga Pekini për të lejuar uljen e konsiderueshme të monedhës së saj ka shkaktuar një stuhi në tregjet financiare në mbarë botën./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.