TIRANË, 6 gusht /ATSH -Ditën e sotme është konstituuar Këshilli Bashkiak i Dibrës si dhe u betua kryetari i ri i bashkisë, Dionis Imeraj, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.
Pas votimit në krye të Këshillit Bashkiak u zgjodh Sokol Sava ndërsa nënkryetarë, Xhelal Ndreka i PS dhe Irini Shehu i Bindjes Demokratike.
Në ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë Dibër ishin të pranishëm deputetja e PS, Almira Xhembulla, zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari si dhe Prefekti i qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku i Dibrës tha se për të është një përgjegjësi e re pa dallime partiake. “Në këto katër vite, do të jem kryebashkiak i të gjithë qytetarëve, jo vetëm i atyre që na votuan”, tha ai.
“Kam besim se me ndihmën e Këshillit Bashkiak që sapo u konstituua do t’i kalojmë me sukses sfidat që kemi përpara. Besoj se do kemi dhe mbështetjen e instancave të larta për të punuar për bashkinë Dibër”, theksoi ai.
Kryebashkiaku shtoi se ”për mua e për të gjithë ju është fillimi i një etape të re dhe i një përgjegjësie të re në shërbim të qytetit, në shërbim të njësive administrative në Dibër”.
Debatet tha ai, gjithmonë janë të frytshme, nuk bëhen aspak për të sjellë negativitet apo keqdashje, por vetëm zhvillim. Realisht Dibra ka filluar me një frymë të re e cila do të prekë ndryshimin dhe zhvillimin në të gjithë qarkun, kjo me mbështetjen e padiskutueshme të qeverisë.
Në përfundim, Imeraj deklaroi se “ne sot do të bëjmë më të mirën për të treguar që vendimet dhe qasja jonë, duhet të jetë në shërbim të komunitetit. Pa bindje partiake sot janë të gjithë të barabartë, nuk do të kemi asnjë keqdashje me njerëzit të cilët nuk na votuan dhe jemi një për familjet tuaja, për qytetin dhe fëmijët tanë”.
