FOTO/ Kryebashkiakja Cara merr detyrën: Sfidë zhvillimi shumë dimensional i Kurbinit

TIRANË, 6 gusht/ATSH/- Çdo ditë në vazhdim të mandatit 4 vjeçar në krye të bashkisë së Kurbinit do të jetë një sfidë, për t’i shërbyer me përkushtim maksimal çdo qytetari të Kurbinit, për të ndërtuar projekte të reja për zhvillimin e zonës në shumë dimensione, si në përmirësimin e infrastrukturës, mirëqenien sociale, zhvillimin e turizmit, ndërhyrjet në bujqësi e projekte të tjera.

Kështu deklaroi sot kryetarja e re e bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, në ceremoninë e betimit për marrjen e detyrës, si dhe konstituimit të këshillit bashkiak.

Në ceremoninë e betimit ishin të pranishëm ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla, prefekti i qarkut të Lezhës, Gjok Jaku, etj.

Në fjalën e saj, kryebashkiakja Cara shprehu falënderime dhe mirënjohje për të gjithë qytetaret kurbinas, për mbështetjen e tyre ndaj Partisë Socialiste, për strukturat e PS-së në nivel lokal dhe qendror, per kryetarin dhe kryeministrin Edi Rama, që siç theksoi ajo “më besuan përgjegjësinë e madhe për të administruar bashkinë e Kurbinit”.

“Puna, puna dhe vetëm puna do të jetë kryefjalë e çdo dite, që ne t’u kthejmë qytetarëve të Kurbinit gjithë mbështetjen e treguar ndaj nesh dhe të plotësojmë me sa mundemi çdo pritshmëri të tyren në lidhje me administrimin e qytetit duke e kthyer atë në një qytet më të dashur, më komunitar dhe më të jetueshëm për ne dhe fëmijët tanë”, – theksoi Cara.

Kryebashkiakja Cara tha se “30 qershori na ngarkoi një përgjegjësi të madhe të gjithëve ne, e unë jam besimplotë se të gjithë së bashku, duke punuar si një trup i vetëm do të jemi në lartësinë e detyrës për të shërbyer me korrektësi e profesionalizëm ndaj çdo qytetari të Kurbinit, qofshin ato të majtë apo të djathtë”.

“Shumë punë na presin, por ne duhet të tregojmë çdo ditë, me vullnet të hekurt e vendosmëri maksimale se kurbinasit u rreshtuan në anën e duhur, besuan e votuan për forcën politike që ka zgjedhur të jetë gjithmonë krah tyre”, – tha Cara.

./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.