Nisi puna për ndërtimin e stadiumit në Kukës, investimi prej 5 milion euro realitet

TIRANË, 5 gusht /ATSH – I. Vata/ – “Nis ndërtimi i stadiumit të ri “Zeqir Ymeri”, Kukës”, deklaroi sot, kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, ndërsa ka marrë pjesë në nisjen e punës për ndërtimin e stadiumit.

“Do flas pak, por do punoj shumë! Ky është një nga premtimet që u kam bërë bashkëqytetarëve të mi, ndaj që ditën e parë të punës në krye të bashkisë këtë bëra. Kështu, nisëm investimin prej 5 milionë euro, për ndërtimin e stadiumit të ri të futbollit”, tha Gjici.

“Për ndërtimin e kësaj vepre, e cila financimin e kishte marrë prej kohësh, Qeveria kishte dhënë dritën jeshile, bashkë me FSHF-në, por zbatimi nuk nisi dot për shkak të “luftës” absurde politike. Megjithatë, ky investim i përket gjithë kuksianëve, ekipit të qytetit, por edhe gjithë sportdashësve nga Shqipëria e Kosova. Për sportdashësit, siç mund ti ndiqni edhe në këtë video, ky është një moment i pritur prej kohësh, pasi gjatë sezonit të kaluar futbollistik, ekipi nuk mundi të luante në fushën e stadiumit “Zeqir Ymeri”, deklaroi kryebashkiaku.

Ai shtoi se stadiumi do të ketë 8 mijë vende, ndërsa pjesë e tij do të jenë dhe ambientet akomoduese.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.