Foto/Nis rikonceptimi i qendrës së Urës Vajgurore

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ – Bashkia e Urës Vajgurore ka nisur punimet për realizimin e fazës së dytë të rikualifikimit të sheshit në qendër të qytetit, njoftoi kryetarja e kësaj bashkie, Juliana Memaj, e cila shtoi se sheshi i rikonceptuar është parashikuar të lidhet me pedonalen.

“Duke ju uruar një javë të mbarë, dua të ndaj me ju lajmin për nisjen e punimeve për realizimin e fazës së dytë të rikualifikimit të sheshit në qendër të qytetit midis pallateve dhe që do të ketë një integrim me pedonalen. Projekti parashikon shtimin e hapësirave të gjelbra, hapësirave shlodhëse dhe ato me kënde lojërash për fëmijë si dhe vende parkimi”, tha Memaj.

Ura Vajgurore, qyteza portë drejt Beratit, prej gati katër vitesh është fokusuar edhe te mundësitë për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit. Bashkia e Urës Vajgurore ka dhe disa projekte për gjenerimin e turizmit arkeologjik, pasi në këtë zonë ndodhet kalaja e Krotinës apo qyteza ilire e Dimalit./ /z.tosku/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.