Basha nga Fushë-Arrëzi: Opozita fituese e zgjedhjeve të lira kurdo që të bëhen

TIRANË, 4 gusht /ATSH/-Kreu i PD-së, Lulzim Basha deklaroi nga Fushë-Arrëzi se Partia Demokratike me aleatët e saj është fituese e zgjedhjeve të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato.

Basha deklaroi se 30 qershori e vërtetoi këtë duke i bashkuar shqiptarët krah opozitës kundër bandës së rilindjes në pushtet.

“Përmes 6 muajsh protestash i kemi dhënë kurajo çdo shqiptari, kemi vetëdijësuar çdo shqiptar dhe sot pas 30 qershorit, nuk janë vetëm sondazhet ato që tregojnë PD dhe aleatët fitues të zgjedhjeve të ardhshme, të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato, por është vetë përmasa e 30 qershorit. Janë 85 përqind e shqiptarëve të cilët ushtuan me refuzimin e tyre në 30 qershor, thirrjen kombëtare: “Rama ik” dhe vulosën kësisoj aleancën më të madhe politike që ka njohur Shqipëria dhe shqiptarët që nga vitit 1992″, – tha Basha.

Ai kërkoi nga demokratët që t’i përgjigjen thirrjes së shqiptarëve që duan ndryshimin e madh.

“Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur koha ‘ti ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta shndërrojmë shumicën 85 përqind “Rama ik”, në shumicën e re qeverisëse që do t’i prijë transformimit ekonomik dhe politik të vendit”,deklaroi kreu i PD-së, Basha.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.