Gjata: Kandidatura e Artur Metanit për në ILD, në kundërshtim me Kushtetutën

TIRANË, 3 gusht /ATSH – I. Vata/ – “Kandidatura e Avokatit të Shtetit Artur Metani për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin, duhet të s’kualifikohet”, deklaroi sot në një deklaratë për mediet, sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata.

Gjata shprehet se rasti më i fundit është ai i Këshilli i Emërimeve në Drejtësi(KED), i cili në mbledhjen për seleksionimin e kandidaturave për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë vendosi të kualifikojë si kandidaturë kryesore atë të Artur Metanit pavarësisht se ai nuk plotëson kriteret kushtetuese ligjore për këtë pozicion të rëndësishëm. Kjo vendimmarrje e KED-së është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të Drejtësisë”. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.

“Artur Metani është në kushtet e ndalimit kushtetues dhe ligjor. Ai ka mbajtur funksionin e Këshilltarit Juridik të Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012. Ligji i vetingut e konsideron këshilltarin e Presidentit funksion politik.Kushtetuta dhe ligji për organet e drejtësisë ia ndalojnë kandidimin personit që 10 vitet e fundit ka patur funksion politik. Në këto kushte kualifikimi i Artur Metanit nga KED si një nga kandidatët kryesorë për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin në fjalë”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.