Risia e bashkisë së Tiranës, park edukativ për t’i mësuar fëmijëve rregullat e qarkullimit

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Shumë shpejt qytetit do t’i shtohet një Park Publik Edukativ, ku fëmijët do të mësojnë sjelljen në rrugë, rregullat e qarkullimit e si të jenë sa më të kujdesshëm dhe bashkëpunues.

Lajmin u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili tre ditë më parë u betua për një mandat të dytë në shërbim të qytetarëve.

Veliaj thekson se në katër vitet e para e kemi parë qytetin në sytë e një fëmije, ndaj çdo projekt ka qenë gjithmonë miqësor me të vegjlit e Tiranës, ndërsa premton se puna nuk do të ndalet.

“Edukata më e mirë merret që në fëmijëri! Këto 4 vite e kemi parë qytetin në sytë e një fëmije, ndaj çdo projekt ka qenë gjithmonë miqësor me të vegjlit e Tiranës. Shumë shpejt qytetit do t’i shtohet një Park Publik Edukativ, ku fëmijët do të mësojnë sjelljen në rrugë, rregullat e qarkullimit e si të jenë sa më të kujdesshëm dhe bashkëpunues”, -thekson Veliaj.

Filozofia e ndërtimit të qytetit në katër vitet e para u fokusua tek fëmijët, të cilët janë tashmë dhe avokatët më të mirë të çdo projekti të ri ambicioz të bashkisë së Tiranës. Nuk mund të lëmë pa përmendur rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve në të gjithë kryeqytetin, ndërkohë që ka nisur puna për ndërtimin e shkollave të reja, të cilat do t’i japin fund një prej problemeve më të mëdha që nga vitet ’90: mësimit me dy turne.

Veliaj i ka shpallur luftë mësimit me dy turne në shkollat e Tiranës dhe zgjidhja po vjen me ndërtimin e 17 shkollave të reja. Pavarësisht skepticizmit në fillim nga shumë persona, bashkia e Tiranës nën drejtimin e Veliajt ia doli që të ndërtojë kënde lojërash në çdo lagje në kryeqytet, mbi 50, ku më i madhi është ai në Parkun e Madh të Liqenit Artificial.

z.tosku/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.