Ministri Lluka takim me Gjeneralin e Forcave zvicerane

PRISHTINE, 2 gusht /ATSH/ -Ministri i Zhvillimit Ekonomik,Valdrin Lluka, së bashku me Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, Gjeneralin e Forcave Ushtarake të Zvicrës, Philippe Rebord dhe Ministrin për Siguri të kantonit Wallis të Zvicrës, Frederic Favre, vizituan Termocentralin “Kosova A” si Termocentralin më të vjetër i ndërtuar në vitin 1962.

Vizita është bërë me kërkesë të Gjeneralit të forcave zvicerane Philippe Rebord, ku me këtë rast ministri  Lluka është i vetmi qeveritar që ka takuar numrin një të forcave zvicerane. Ministri Lluka së bashku me Gjeneralin kanë bashkëbiseduar për sigurinë nacionale të furnizimit me energji si dhe nevojat e vendit për investime në këtë sektor jetik për ekonominë e Republikës së Kosovës.

Po ashtu, gjatë vizitës Ministri Lluka ka informuar gjeneralin Rebord dhe Ministrin për Siguri, Frederik Favre  për pasuritë që posedon Kosova, respektivisht rezervat e linjitit

“Ne kemi ligjin për energji dhe Kosova  është  vendi i tretë në Europë për rezerva të linjitit”, tha Ministri Lluka.

Ministri Lluka gjithashtu bëri të ditur se  nga viti 2020  Kosova do t’i kontrolloj kufijtë e saj energjetik duke përmendur Transmisionin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Duke folur rreth projekteve kapitale në fushën e energjisë Ministri Lluka ka përmendur   ndërtimi e Termocentralit “Kosova e Re”, ndërsa  njoftoi mysafirët për aplikimin në fonde të BE-së për ndërrimin e filtrave të Termocentralit “Kosova B”.

Gjenerali Rebord e falenderoi Ministrin Lluka  për prezantimin e projekteve në fushën e energjisë duke shtuar se tashmë shihet se Kosova ka një planë afatgjatë në fushën e energjisë./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.