Betohet kryebashkiaku i Prrenjasit, Rira nuk liron zyrën

TIRANË, 2 Gusht /ATSH/ – Kryetari i ri i bashkisë së Prrenjasit, Nuri belba është betuar sot.

Betimi i Belbës është bërë në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Qybra Sokoli”, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Gjithashtu u konstituua edhe këshilli bashkiak i Prrenjasit ku kryetare u zgjodh Flutura Haka.

“Prej sot fillon puna intensive në bashkinë Prrenjas, e cila do duhet të bazohet në transparencën e vendim-marrjes dhe fondeve publike, përgjegjshmërinë ndaj ligjit dhe respektin ndaj njerëzve. Tre cilësi tërësisht të munguara në vitet e shkuara. I kërkova Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të jenë përherë të vetëdijshëm në ushtrimin e këtij mandati të ri për barrën e jashtëzakonshme që ky mandat i dalë nga 30 Qershori përfaqëson. Njerëzit presin prej nesh punë transformuese qysh në ditën e parë. Asnjë moment për të humbur kohë. Prrenjasi meriton respekt”, u shpreh Balla.

Në mandatin e shkuar, bashkia e Prrenjasit është drejtuar nga Miranda Rira e LSI-së, e cila ka qenë sot në zyrë dhe ka refuzuar ta lirojë atë, duke u shprehur se njeh vetëm dekretin e presidentit.

“Zgjedhjet e 30 qershorit ishin monopartike, janë votime të kryera pa dekretin e Presidentit dhe si të tilla janë nul. Ne presim datën 13 tetor, jemi duke u përgatitur dhe bërë maksimumin tonë për zgjedhjet lokale që do të jenë pas pushimeve të verës”, tha ajo.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.