Basha në Peqin: Shqipëria në krizë ekonomike

TIRANË, 2 gusht /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se Shqipëria është në krizë të thellë ekonomike dhe sipas tij, shkaktar është kryeministri.

“Nga mëngjesi deri në darkë plani i Ramës është grabitja, vjedhja. Kjo është arsyeja pse Shqipëria është e papunë, në krizën më të thellë ekonomike, pse shëndetësia, arsimi dhe gjithçka tjetër janë në kolaps, pse po përjetojmë emigracionin më gërryes dhe më të rrezikshëm se ai i fillim viteve ’90.” – theksoi Basha në takim me strukturat e PD-së Peqin.

Basha vuri në dukje se përqendrimi i ekonomisë dhe pasurive të vendit në duart e pak njerëzve janë shkaktarë të thellimit të varfërisë.

“Shqiptarët po varfërohen, sepse po grabiten. Shqipëria po plaçkitet dhe po shkatërrohet nga Edi Rama me një grusht biznesmenësh grabitqarë, që ndajnë paratë dhe pasuritë me njëri tjetrin”, tha ai.

Duke iu referuar 30 qershorit si një referendum popullor për ndryshim, Basha u shpreh se ky ndryshim do të vijë vetëm përmes largimit të Ramës, duke i dhënë fund, bashkë me të edhe bandës së oligarkëve dhe hajdutëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.