STRASBURG – KiE-ja akuza ndaj Hungarisë për korrupsionin e gjyqtarëve

STRASBURG, 1 gusht /ATSH-AFP/ – Veprimet e ndërmarra nga autoritetet hungareze në luftën kundër korrupsionit në radhët e parlamentarëve dhe magjistratëve nuk janë aty ku duhej të ishin, ky ishte paralajmërimi i Këshillit të Europës, në një raport shumë kritik të institucionit i bërë sot publik.

Në një raport, Grupi i Shteteve në Luftën Kundër Korrupsionit (GRECO) thekson se vetëm pesë nga 18 rekomandimet e formuluara prej tij katër vite më parë për këtë temë, u vunë në zbatim në mënyrë të kënaqshme.

Ai vë theksin në lidhje me nevojën për të marrë masa të forta për të arritur sa më shpejt të jetë e mundur përparime konkrete.

GRECO i bëri thirrje Budapestit për të përfshirë rregulla që bëjnë të mundur bashkëveprimin reciprok mes parlamentarëve dhe lobistëve, për të ngritur si formë të detyrueshme deklarimin e konfliktit të tyre të interesit, për të miratuar një model standard për deklaratat e pasurisë dhe për të zvogëluar fushën e imunitetit parlamentar.//v.b/ a.jor.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.