Qafa e Pazarit në fokus të programit “Zhvillimi i Integruar Urban e Turistik”

TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Xhamia e Pazarit në Gjirokastër në mbishkrim ndërtimor daton në vitin 1754.

265 vite më parë, ky objekt fetar mirëpriste besimtarë nga i gjithë vendi. Gjatë regjimit komunist, ndërtesa u përdor si depo dhe fushë trajnimi për akrobatët. U rihap sërish për publikun në vitin 1991.
Çatia e kupolës kryesore është e mbuluar me gurë dhe arkitektura përshtatet me atë të dyqaneve të çarshisë.

Xhamia e Pazarit është pjesë e ansamblit të ndërtesave karakteristike në Qafën e Pazarit.
Pas përfundimit të projektit për ndërhyrjet në fasadat e godinave nga Fondi Shqiptaro Amerikan i Ndërmarrjeve (AADF), tashmë Qafa e Pazarit është në fokus të programit “Zhvillimi i Integruar Urban e Turistik” financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe që zbatohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Projekti për “Rehabilitimin e zonës së Qafës së Pazarit” është një projekt kompleks, pasi ndërthur punime inxhinierike në infrastrukturën nëntokësore me rikonstruksionin e kalldrëmit.

Për restaurimin e kalldrëmit Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) bashkëpunon ngushtë me Institutin e Monumenteve të Kulturës, që ka vlerësuar dhe miratuar projektin teknik.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.