Dorëzimi i bilanceve, vetëm 70% e bizneseve me aplikim të miratuar nga QKB

TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Flogers Broqi Drejtori Juridik në Qendrën Kombëtare të Biznesit informoi sot mbi numrin e aplikimeve për pasqyrat financiare të bizneseve të vitit 2018, ato të refuzuara, ato të miratuara si dhe numrin e subjekteve që kanë hapur çështje në portalin e-albania.

“Në lidhje me të dhënat mbi aplikimet për pasqyrat financiare të vitit 2018 ju bej me dije se numri total i aplikimeve  në regjistër është 19250. Nga këto numri i aplikimeve të miratuara është 17139, numri i aplikimeve ne proces shqyrtimi është  706, numri i aplikimeve të refuzuara është 1405, pritshmeria e aplikimeve është 24218, numri i subjekteve/aplikimeve të cilët kanë hapur një çështje në portalin e-albania  deri në datë 31.07.2019  ora 00.00 por nuk kanë mbërritur për shqyrtim në QKB është 3049 aplikime nga të cilët 1410 janë krijuar në datë 31.07.2019” tha Broqi.

Ky ishte viti i parë, kur në bazë të ligjit të kontabilitetit, është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj.

Qendra Kombëtare e Biznesit njoftoi se për shkak të mbingarkesës nuk do të aplikohen gjoba për ata që kanë marrë një numër aplikimi.

“Lidhur me detyrimin ligjor për depozitimin e pasqyrave financiare për vitin 2018,  ju njoftojmë se subjektet të cilët kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në datën 31.07.2018, (ora 24:00) dhe rezulton se aplikimi i tyre ka marrë një numër aplikimi (CN…), por për shkak të mbingarkesës së madhe të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet kundërvajtje administrative në bazë të nenit 74, pika 3 e ligjit nr. 9723, datë 03.05.2007, “Për regjistrimin e Biznesit”.

Ndërkohë të gjithë këto subjekte që kanë aplikuar, por që nuk kanë finalizuar me sukses aplikimin për arsyen e lartpërmendur duhet të përfundojnë aplikimin e nisur edhe pas datës 31.07.2019, dhe të dërgojnë në mënyrë përfundimtare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit 2018 deri në datën 30.09.2019”, citoi Broqi. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.