Betohet kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi

TIRANË, 1 Gusht /ATSH/ -Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, e rikonfirmuar nga zgjedhjet e 30 qershorit 2019, u betua ditën e djeshme.

Në mbledhjen e parë e Këshillit të Bashkisë Roskovec me mandat 2019-2023 u zgjodhën organet drejtuese dhe përfaqësuese të këtij Këshilli.

Me shumicë votash Kryetar i Këshillit Bashkiak u zgjodh Kadri Hyska dhe Zv/ Kryetarë u zgjodhën Leksi Goga dhe Genci Hoxha.

Gjithashtu u verifikua dhe u miratua mandati i çdo anëtari të Këshillit Bashkiak.

Pas verifikimit dhe betimit të Këshilltarëve të rinj të KB Roskovec, Kryetarja e Bashkisë Majlinda Bufi, e rikonfirmuar për herë të dytë, bëri betimin dhe ritheksoi edhe njëherë se puna e saj dhe e stafit të Bashkisë Roskovec do të udhëhiqet nga përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve tanë, për të zhvilluar qytetin në të mirë të jetës sonë të përbashkët.

Anëtarët e Këshillit Bashkiak në votim të fshehtë votuan për përfaqësuesit e Bashkisë Roskovec në Këshillin e Qarkut Fier.

Nga ky votim rezultuan fitues Kudret Kuka, Hekuran Beqiraj dhe Rrapi Hazizi.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak morën pjesë: Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, Deputet të Qarkut Fier, Antoneta Dhima, Adelina Rista, Anduel Xhindi, Prefekti i Qarkut Fier Baki Bala si dhe qytetarë.

Deputetja socialiste e qarkut të Fierit, Antoneta Dhima shprehet se, “me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë zotin Gramoz Ruçi, kolegë deputetë , drejtues të pushtetit vendorë dhe qëndrorë, ditën e djeshme morëm pjesë në konstituimin e Këshillit të ri të Bashkisë Rroskovec, betimit të Kryetares së Bashkisë të rikonfirmuar nga zgjedhet e 30 qershorit 2019, zonjës Majlinda Bufi, zgjedhjes së Kryetarit të Këshillit Bashkiak zotit Kadri Hyska , dy nënkryetarëve të këshillit bashkiak zotit Leksi Goga dhe zotit Genci Hoxha si dhe të këshilltarëve që do të jenë pjesë e Këshillit të Qarkut Fier, zotit Kudret Kuka, zotit Hekuran Beqiraj dhe zotit Rrapi Hazizi”.

“Urime dhe suksese të gjithë të zgjedhurve vendorë për më shumë punë, angazhim dhe përkushtim në realizimin e gjithëçkaje në shërbim të qytetit dhe qytetarëve të Rroskovecit”, thekson Dhima.

/gj.mima/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.