Xhaçka i kthen përgjigje Metës: Tërmetet nuk parashikohen, dekreto ligjin për “Mbrojtjen Civile”

TIRANË, 31 korrik/ATSH/- Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i ka kthyer përgjigje shqetësimit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për rrezikun që i kanoset vendit tonë nga një tërmet i përmasave të mëdha.

Përmes shkresës zyrtare, ministrja Xhaçka shprehet se pas konsultimeve me specialistë të fushës, rezulton se tërmetet janë një fenomen i paparashikueshëm, ndërkohë që vë në dukje vëmendjen maksimale të Qeverisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes ndaj fatkeqësive natyrore.

Ministrja Xhaçka thekson se Shqipëria është më e përgatitur se kurrë në këto 30 vite për t’u përballur me emergjencat, duke përmendur kapacitetet e shtuara reaguese, profesionalizmin e personelit përgjegjës dhe koordinimin efikas institucional.

Gjithashtu, ministrja Xhaçka fton Presidentin e Republikës të dekretojë sa më shpejt ligjin “Për Mbrojtjen Civile”, i cili pritet të reformojë tërësisht qasjen e institucioneve ndaj fatkeqësive natyrore.

“Jam njohur përmes shkresës, datë 29.07.2019, me shqetësimin e ngritur nga ju, lidhur me rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe mbarë rajonit, nga një tërmet i përmasave apokaliptike që pritet të godasë së shpejti, jo vetëm Shqipërinë por mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmologët tanë dhe çdo sizmolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj”, i drejtohet Xhaçka Metës.

Duke theksuar se tërmetet janë të paparashikueshëm, Xhaçka i kujton Metës reagimin e Tselentis, i cili është shprehur disi i çuditur mbi lajmin e rremë, siç e quan ai duke thënë se, ‘nuk mundem dhe asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete’.

“Shpresoj që përgjigjja e sizmologut të sipërcituar, e cila përputhet edhe me qëndrimet e sizmologëve shqiptarë e sizmologëve në mbarë botën, i jep një përgjigje ezauruese arsyes së shqetësimit tuaj: tërmetet janë të paparashikueshëm”, shton ministrja.

Sidoqoftë, vijon ajo, përfshirja juaj në debatin lidhur me përgatitjen e Shqipërisë për t’u përballur me emergjencat e fatkeqësitë natyrore është e mirëpritur. Kjo, tha Xhaçka, është një çështje, së cilës edhe Qeveria e Shqipërisë, dhe institucioni që unë drejtoj i kemi kushtuar vëmendje maksimale.

“Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona”, tha ajo.

“Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut”, shkruan Xhaçka.

“Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm”, përfundon Xhaçka.

Përgjigjja e plotë e ministres Xhaçka për presidentin Meta:xhacka meta all

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.