Konstituohen këshillat bashkiakë të Këlcyrës e Përmetit, betohen dhe kryetarët e bashkive

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ – U zhvilluan sot mbledhjet e para të konstituimit të këshillit bashkiak, përkatësisht të bashkive Këlcyrë dhe Përmet.

Të pranishëm në këto mbledhje ishin ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, si dhe deputetet e qarkut Gjirokastër Artemisa Malo dhe Mirela Kumbaro.

Gjatë mbledhjes së parë të këshillit bashkiak Këlcyrë janë legjitimuar 12 nga 15 mandate. Gjithashtu gjatë mbledhjes së parë të këshillit u zhvillua edhe ceremonia e betimit e kryetarit të bashkisë Klement Ndoni, i cili rizgjidhet për herë të tretë në krye të kësaj bashkie.

Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak Përmet janë legjitimuar 14 nga 15 mandate. Gjatë mbledhjes së parë të këshillit u zhvillua edhe ceremonia e betimit e kryetares së bashkisë Alma Hoxha, e zgjedhur për herë të parë në krye të kësaj bashkie.

Nënprefekti i qarkut Gjirokastër Edvin Tuçi, në emër të institucionit të Prefektit u shpreh se finalizimi me sukses i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 përbën një arritje për demokracinë e vendit tonë dhe një hap më shumë drejt të ardhmes europiane, ndërsa vlerësoi kryebashkiakët e zgjedhur si të duhurit për të udhëhequr bashkitë përkatëse për katër vitet e ardhshme.

Në zbatim të ligjit “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 48, gjatë mbledhjes së parë të konstituimit të këshillit bashkiak u zgjodh edhe kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit të bashkisë së Këlcyrës si dhe të Përmetit. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.