FOTO/ Ura e “Shën Prodhromit” pas rikonstruksionit, një pikë atraktive e turizmit kulturor

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ – Ura e “Shën Prodhromit” e ndërtuar në shekullin XVIII, tashmë e rikonstruktuar është kthyer në një pikë atraktive të turizmit kulturor. Falë investimit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ky monument shekullor është rikonstruktuar përmes ndërhyrjesh të gjithanshme, por edhe është kthyer në identitet.

“Për shkak të kohërave, agjentëve atmosferikë dhe kalimit të automjeteve me tonazh të rëndë mbi të, ky objekt i trashëgimisë kulturore kishte pësuar dëmtime të rënda. Falë një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ky monument shekullor jo vetëm është rikonstruktuar përmes ndërhyrjesh të gjithanshme, por edhe është kthyer në identitet dhe në një pikë atraktive të turizmit kulturor. Ndalimi i kalimit të automjeteve siguron jetëgjatësinë e saj. Specialistët vijojnë punën për sistemimin e hapësirës përreth”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

“Kaluam mbi urën e “Shën Prodhromit”, që për 300 vjet ka pritur e përcjellë pelegrinë që i ngjiteshin së përpjetës për të shkuar në manastir, turistë, banorë të zonës… Ura e “Shën Prodhromit” është ndërtuar në shekullin XVIII, për të siguruar lidhjen e fshatit Voskopojë dhe të gjithë pelegrinëve dhe banorëve të trevës së Korçës me Manastirin e njohur me të njëjtin emër, i cili si ditë të shënuar gjatë gjithë vitit kishte datën 24 Maj. Ura përbëhet nga dy qemerë tip segment rrethor, me gjatësi 51,7 m dhe gjerësi 4,6 m”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë inspektimit në këtë urë. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.