Mungesa e Gjykatës Kushtetuese, deklarata e Merkel për Reformën në Drejtësi

TIRANË, 30 korrik/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama citoi sot Kancelaren Angela Merkel lidhur me Reformën në Drejtësi në Shqipëri.

“Po citoj Kancelaren e Gjermanisë në samitin e Poznanit në Poloni e cila tha se: Është e vërtetë që Shqipëria sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, por është rezultat i Vetingut, të cilin parlamenti i Shqipërisë edhe partnerët e Shqipërisë e kanë kërkuar me forcë. Atëherë ky është një moment tranzitor kur kjo situatë është sukses i një procesi si Vetingu, apo është dështim i procesit të Reformës në Drejtësi?” tha Rama, duke cituar Merkel.

Kryeministri theksoi se “kjo është farsë e atyre që duan që Gjykata Kushtuese të mos bëhet kurrë dhe që kanë abuzuar shumë me mungesën e saj”.

Rama tha se “po bëjmë pastrimin më të paimagjinueshëm nga të gjithë para se të fillonte Reforma në Drejtësi”. “Po pastrojmë një llum që dukej si mallkimi i përjetshëm i kësaj shoqërie, ku nuk kishte forcë në botë që do ta lëvizte vendit, se flasim prej 30 vitesh për korrupsion, pisllëk dhe zullum dhe për herë të parë po veprohet mbi ata që ishin të paprekshmit e vërtetë”, tha Rama.

Reforma në Drejtësi, sipas tij, “është një nga arsyet që ka shtuar interesimin e investitorëve”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.