Konstituohen këshillat bashkiakë në Memaliaj dhe Libohovë

TIRANË, 30 korrik /ATSH – I. Vata/ -Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj ka marrë pjesë ditën e sotme në mbledhjen e parë të konstituimit të këshillave bashkiakë përkatësisht të bashkive Tepelenë, Memaliaj dhe Libohovë.

Të pranishëm në këto mbledhje ishin deputetët e qarkut Gjirokastër Artemisa Malo, Mirela Kumbaro, Bledi Çuçi si dhe Drejtoresha e Çështjeve Vendore dhe Prefekturave në Ministrinë e Brendshme, Alma Mele.

Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak Memaliaj janë legjitimuar 19 nga 21 mandate. Gjatë mbledhjes së parë të këshillit u zhvillua edhe ceremonia e betimit e kryetarit të bashkisë z. Gjolek Guci, i zgjedhur për herë të parë në krye të kësaj bashkie.

Në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak Libohovë janë legjitimuar 14 mandate. Gjatë mbledhjes së parë të këshillit u zhvillua edhe ceremonia e betimit e kryetares së bashkisë Luiza Mandi, e rizgjedhur për herë të dytë në krye të kësaj bashkie.

Prefekti i qarkut Gjirokastër Astrit Aliaj gjatë fjalës së tij u shpreh se finalizimi me sukses i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 përbën një arritje për demokracinë e vendit tonë dhe një hap më shumë drejt të ardhmes europiane, ndërsa vlerësoi kryebashkiakët e zgjedhur si të duhurit për të udhëhequr bashkitë përkatëse për katër vitet e ardhshme.

Në zbatim të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, neni 48, gjatë mbledhjes së parë të konstituimit të këshillit bashkiak u zgjodh edhe kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit të bashkive Tepelenë, Memaliaj dhe Libohovë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.