Ish-kreu i PD-së Kukës, Ibsen Elezi: Basha pa strategji, e çoi PD drejt shkatërrimit

TIRANË, 30 korrik /ATSH – I. Vata/ “Basha i kërkon zgjedhje të lira Edi Ramës, kur ai nuk i realizon vetë në PD”, – tha ish-kreu i PD-së së Kukësit, Ibsen Elezi, ndërsa akuzoi e kryetarin e PD-së Lulzim Basha si personin përgjegjës për shkatërrimin e PD-së.

Në një studio televizive Elezi tha se “30 qershori ishte katastrofë për PD. E dija që në fillim, mungesa e forcës për të transformuar PD brenda, mbështetur nga Doktori, e dija që do lëvizte në mënyrë kaotike”.

Ai shtoi se ajo që u ndërtua në Kuvendin e fundit të PD-së u ndërtua një parti pa rregulla dhe norma, duke vazhduar gafat e mëparshme.

Më tej, Elezi shtoi se Basha po e çon Partinë Demokratike drejt degradimit. “Mungesa e forcës për të transformuar PD në atë kohë dhe realizimi i një kuvendi skandaloz edhe me firmën e Doktorit, e legalizoi Lulzim Bashën një kryetar me një parti joeficiente, pa struktura, pa ide dhe që do të lëvizte në mënyrë kaotike”, – tha ai.

Po ashtu, Elezi tha se PD në kuvendin e fundit ishte një parti pa rregulla.

“Ajo që u ndërtua në kuvendin e fundit ishte një parti pa rregulla, pa norma në të gjithë strukturën e vet. Kjo e bëri të ishte një parti e dobët dhe të vazhdojë gafat e mëparshme, sepse procesi i 30 qershorit lidhet shumë me procesin e para katër viteve. Në atë kohë ka qenë reforma administrative territoriale dhe ne kishim potencialin për të realizuar një reformë të plotë dhe tërheqja jonë u la dorë të lirë. U nis procesi pa pasur një draft, pa patur kolona, pra bënë një punë fasadë. Kjo solli që ne të humbasim shumë terren”, – tha ai.

Elezi shtoi se edhe në 2017, Basha hyri në zgjedhje për tri javë, kur dihet se një fushatë elektorale kërkon më shumë se 6 muaj kohë.

“Në fillim, Basha nuk e njihte PD, tani e bën me qëllim. Kjo që bëri herën e fundit ishte tallje dhe e bëri me qëllim rrënimin e PD-së. Strategjia e momentit për Bashën është: bëni pak zhurmë, se do i marrim mandatet në një periudhe të dytë”, – tha ai.

Gjithashtu Elezi theksoi se “një njeri që pretendon për kryeministër nuk duhet të bëjë gafa. Edhe deklaratat e thjeshta kanë rëndësi. Këta ia kanë humbur peshën fjalës. Kuksianët nuk do ia falin këtë që ka bërë PD. Shkalla e përgjegjësisë është për të gjithë, sepse nuk është vetëm Basha, ka edhe të tjerë që kanë këtë mision. Kjo që ka ndodh do të këtë patjetër analizë, sepse ka me dhjetëra që kanë dhënë kontribut. Basha i kërkon zgjedhje të lira Edi Ramës, kur ai nuk i realizon vetë në PD”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.